top of page
Search

"Kulti i Kromozomit Y" dhe vrasja e paralajmëruar

Autore: Amantia Martinaj

"Tragjedia e radhës ku një djalë tetë vjeçar në Fier u masakrua nga fqinji i tij, nuk ishte gjë tjetër veçse një vazhdimësi e një vale aktesh të ngjashme dhe makabre dhune që ka karakterizuar Shqipërinë post-komuniste. E si mund të harrohet 97-a, vit i cili shënoi fillimin e valës së tmerrshme të trafikut të vajzave dhe grave shqiptare? Shumica prej tyre ishin të mitura, ndërsa pjesa tjetër ishin kushërira, të fejuara ose edhe bashkëshorte të trafikantëve shqiptarë, të cilët edhe me mbështetjen e policisë së shtetit shqiptar të asaj kohe, e dyndën Italinë dhe mbarë Evropën me këto viktima të pafajshme. E si mund të harrohen historitë e përditshme të kronikës së zezë për dhunë brenda familjes mbi vajzat dhe gratë, për përdhunimet (shpesh disa vjeçare) të tyre në familje, ose i përdhunimit të vajzave në ambientet shkollore nga mësuesit e tyre? Të gjitha këto ngjarje makabre kanë tre të përbashkëta: - Në shumicën e rasteve të dhunës dhe përdhunimeve të raportuara, viktimat janë kryesisht të mitura ose gra të martuara dhe me fëmijë.

- Në pothuajse të gjitha rastet autori është i gjinisë mashkull. - Pjesa dërrmuese e opinionit publik në Shqipëri, edhe kur bëhet fjalë për vajza të mitura, me arsyetime të paarsyeshme dhe të diktuara nga një kulturë dhune, i zhvesh pedofilët, përdhunuesit dhe kriminelët nga faji duke akuzuar viktimat dhe sjelljen e tyre si shkakun kryesor që çoi në përdhunim, në dhunë apo edhe në vrasje.  Opinioni flet për burra që u lënduan në sedër nga një fjalë më tepër e gruas edhe pse kurrë nuk flitet për dhunën verbale dhe psikologjike që çdo grua shqiptare përjeton rregullisht brenda katër mureve. Opinioni flet për pleq 60- apo 70-vjeçarë të cilët u tunduan nga një vështrim „tinëzar“ apo „djallëzor“ i një të miture, por ndërkohë askush nuk flet për faktin se kategoria e burrave që ngacmojnë më së shumti vajzat dhe gratë janë pikërisht burrat e martuar mbi moshën 60 vjeçare. Pra ky opinion publik që tani po skandalizohet për rastin e një djali të vogël të masakruar dhe groposur nga burri i radhës, deri më sot kishte mbyllur sytë duke justifikuar dhunuesit burra duke fajësuar vajzat dhe gratë. Për fat "të mirë" Mateo ishte djalë dhe shoqëria shqiptare e mbërthyer fort mbas "Kultit të Kromozomit Y" u revoltua si kurrë më parë dhe kërkon deri rikthimin e dënimit me vdekje për të akuzuarin. Kërkon t‘i marrë hakun Mateos ashtu siç nuk kërkoi t‘i merrte hakun asnjë vajze apo gruaje të dhunuar apo të vrarë këto 30 vitet e fundit. Ndoshta sepse tek ne djali e burri shihen si një aset i çmuar i shoqërisë, ndërsa vajza dhe gruaja si pronë dhe kompetencë ekskluzive e familjes së saj. A mos është vallë kjo arsyeja se pse shumë njerëz kthejnë sytë nga ana tjetër sa herë një vajzë dhunohet, sa herë një grua vritet? Fatkeqësia brenda fatkeqësisë është se nëse Mateo do kishte qenë vajzë, vdekja e saj do kalohej në heshtje e ndoshta do shihej, ashtu si shumë vrasje e përdhunime vajzash, si diçka e pashmangshme. Sepse fundja, kaq vlen vajza dhe gruaja në shoqërinë shqiptare. Ajo nuk është gjë tjetër veçse një thes boksi i mbushur me rërë, ku familja, babai, burri dhe opinioni mund të boksojnë sa herë të duan. 


"Çika lind në shtëpi të huaj, e shkon në shtëpinë e vet!"- është një thënie e vjetër popullore e cila përmbledh më së miri vlerën që shoqëria jonë i jep grave. Gruaja në këtë shoqëri nuk është as më pak e as më shumë se sa një copë malli apo një transaksion midis dy familjeve.


Pyetjet që ngrihen natyrshëm mbas 30 vitesh skenarësh dhune brenda dhe jashtë familjes janë:

- Edhe sa duhet të degradojë gjendja e gruas në Shqipëri deri sa shteti të ngrerë struktura të posaçme dhe funksionale për mbrojtjen e saj?

- Edhe për sa kohë komisariatet, ku denoncohen krimet e dhunës dhe përdhunës ndaj grave, do jenë dendur kryesisht vetëm me polica burra? Jo rrallë herë, kronika e zezë i ka identifikuar shpesh këto policë si bashkautorë të dhunës ndaj grave. Rasti i dëshmive të dokumentuara të Adelina Sejdinit në Itali ku policët e shtetit shqiptar i binin mbi shpatulla vajzave të trafikuara me urimin që të „Bënin sa më shumë para!“ apo edhe rasti më i freskët i një kryeinspektori 63-vjeçar i cili jo vetëm që nuk denoncoi rastin e shfrytëzimit të një të miture 13-vjeçare por në të kundërt abuzoi me të, e bëjnë të detyrueshme praninë e policeve femra në sportelin e denoncimit të krimeve pranë komisariateve të policisë në Shqipëri. Vetëm në këtë mënyrë vajzat dhe gratë mund të ndjehen të mbrojtura dhe të besuara në rrefimet e tyre makabre. Personeli femëror nuk është më temë opsionale nëpër komisariatet e policisë, ai është detyrim për gratë viktima të dhunës në Shqipëri.

- Edhe për sa kohë "Kulti i Kromozomit Y" do ja mbulojë shqiptarëve sytë mbi faktin se nuk kemi të bëjmë me një krizë të shoqërisë shqiptare në tërësi, por specifikisht një krizë të burrave? Burra të pasjellshëm, burra të dhunshëm, burra xhelozë, burra asgjë-bërës, burra që nuk dinë të dhurojnë dashuri, burra që nuk dinë të respektojnë as nënat e tyre, e jo më gratë dhe vajzat. Burra zot, të cilët nuk përgjigjen para asgjëje, përveçse sedrës së sëmurë.


 

Rreth autores:


Amantia Martinaj po kryen doktoraturën në fushën e ekonomisë me një fokus në sjelljen dhe zgjedhjet njerëzore në kontekstin e çështjeve mjedisore. Ajo është e interesuar për tema që lidhen me mirëmbajtjen e mjedisit, minimizimin e mbetjeve urbane në zonat urbane dhe parqet kombëtare, barazinë sociale si dhe forcimin e rolit të gruas në shoqërinë shqiptare. 





83 views0 comments

Recent Posts

See All
Post: Blog2_Post
bottom of page