top of page
Search

"Por kujdes, por kujdes nga bananja, mos e hidh e mos e shkel sepse rrëshket… edhe ndot!"

Updated: Nov 26, 2021

Autore: Amantia Martinaj


Ecjet malore në Shqipëri në dhjetë vitet e fundit kanë filluar të bëhen një trend që kalon përtej aktiviteteve të një komuniteti të vogël alpinistash. Ky trend është jo vetëm pasojë e promovimit të natyrës shqiptare nga alpinistat shqiptarë (kujtojmë këtu librin me fotografi të natyrës shqiptare "Homeland" nga alpinisti Fation Plaku), por edhe e përmijësimit të infrastrukturës rrugore në zona që paraqesin rëndësi turistike siç janë parku kombëtar i Valbonës dhe ai i Thethit. Vala e re e turistëve shqiptarë që i janë dyndur parqeve kombëtare vitet e fundit po shoqërohet me një mori problematikash mjedisore. Këto problematika vijnë si pasojë e mungesës së informimit të turistëve për rregullat e sjelljes në natyrë dhe e paftësisë së komunave përkatëse për të manaxhuar një fluks të papërballueshëm vizitorësh, që tashmë ka tejkaluar kapacitetet mikpritëse të këtyre parqeve kombëtare. Kush vjen në të tilla parqe kombëtare dëshiron të shohë atë që nuk sheh në qytet: gjelbërim, pyje, ujëvara dhe natyrën në përgjithësi, sidomos nëse kjo e fundit është e paprekur dhe e pastër. E megjithatë nëpër të gjitha shtigjet malore ku kalojnë turistët shqiptarë edhe banorët vendas, ndeshja me mbeturinat të hedhura tek-tuk dhe pa kokëçarje është e pashmangshme. Akoma më i rëndë është fakti se sasia e mbeturinave po intensifikohet vit mbas viti.


Që mbeturinat e shkaktuara nga njëriu nuk i përkasin natyrës, e sidomos maleve, është gjë e ditur. Lajmi i mirë është se të gjithë ne mund të ndihmojmë që malet tona të mos shndërrohen në male me mbeturina. Ndërkohë që ekziston një unanimitet mbi faktin se mbetjet plastike në asnjë mënyrë nuk i përkasin natyrës por koshit të mbeturinave, paqartësi ekzistojnë mbi llojet e tjera të mbetjeve, të cilat ndoshta paraqesin një nivel po aq të lartë rrezikshmërie.


Shkas për këtë artikull u bë një moment pushimi gjatë ngjitjes së malit të Çardakut në Bogë para dy vitesh me një grup alpinistësh shqiptarë, ku një lëkurë bananeje u katapultua në trininë e shenjtë të malit „Gur-Përrua-Shkurre“. Ky gjest u bë shkas për një diskutim rreth asaj se sa e pranueshme ishte hedhja e lëkurës së bananes në malet Shqiptare dhe në natyrë në përgjithësi. Në diskutimin që vijoi midis alpinistëve mbizotëronte mendimi se lëkura e bananes, si produkt i dekompozueshëm, tretet shpejtë dhe shërben si ushqim për kafshët e malit.


Ndërkohë që këto dy argumente mund të tingëllojnë si të sakta, faktet tregojnë të kundërtën. Në një artikull të Klubit Alpin Austriak (Alpenverein) i jepet një hapësirë të veçantë pikërisht kësaj problematike. Ndër të tjera në artikull shkruhet se jo të gjitha frutat dekompozhen me të njëjtin ritëm, e kjo vlen sidomos për lëkurat e frutave subtropikale dhe tropikale si bananja, portokalli dhe kivi. Për shkak se këto fruta rriten në një klimë me temperaturë dhe lagështi të lartë ku ka shumë lloje mikrobesh, ato kanë një nivel më të lartë rezistence ndaj mikrobeve. Kjo bën që lëkurat e këtyre frutave të kenë një kohë më të gjatë dekompozimi krahasuar me lëkurat e frutave që rriten në një klimë më të freskët, siç ëshë klima e alpeve në Europë. Kjo do të thotë se në zonat alpine ndërkohë që një mbetje molle kërkon rreth katër javë për tu dekompozuar plotësisht, lëkura e frutave subtropikale dhe tropikale kërkon një kohë dekompozimi që varion nga dy deri në pesë vite. Pra, nëse çdokush nga ne do hidhte një lëkurë bananeje në natyre, së shpejti malet tona do mbuloheshin nga lëkura bananesh të cilat do rrinin aty për shumë vite.


A është lëkura e bananes vërtetë ushqim për kafshët e alpeve tona?

Përgjigja është një „Jo“ e qartë. Lëkurët e frutave tropikale dhe subtropikale janë të pangrënshme për kafshët që rriten në lartësitë malore. Për më tepër, duke qenë se këto lloj frutash trajtohen intensivisht me pesticide, lekurët e tyre nuk këshillohen të përdoren as si komposto organike për kopshte ku mbillen perime apo fruta për konsum. Përsa i përket terreneve malore, pesticidet në lëkurën e këtyre frutave shpesh përfundojnë nëpër përrenjtë dhe burimet ujore dhe i ndotin këto të fundit duke prishur kështu ekuilibrin e ekosistemeve përreth. Ndërkohë që për njëriun dhe për kafshët e tjera të mëdha ky nuk është një probem direkt, ndotja e burimeve ujore nëpër male rrezikon bimësinë endemike (vendase) siç janë shkurret e egra, bimët delikate me veti mjekësore, si dhe një mori bimësh që i bëjnë shëtitjet nëpër malet tona të paharrueshme (1). Duke mbrojtur ujin, ne mbrojmë bimësinë e maleve tona. Duke mbrojtur bimësinë, ne mbrojmë insektet dhe kafshët dhe duke i mbrojtur këto të fundit, ne garantojmë vazhdimësinë e bimësisë endemike. Pra garantojmë ruajten e natyrës si dhe garantojmë që ato që do vijnë mbas nesh të kenë fatin të përjetojnë të njëjtën gjë apo edhe më mirë se cfarë përjetuam neve në shëtitjet tona. Përveç të tjerash, mbetjet që kanë një kohë të gjatë dekompozimi shkaktojnë ndotje estetike të natyrës.


Cila është koha e dekompozimit për mbetje të ndryshme në mal?

Molla: 4 deri 5 javë

Kartëpecetat (facoletat): 1 deri në 5 vite

Lëkura e bananes: 2 deri në 3 vite

Bishti i cigares: 2 deri në 7 vite

Çamçakizi: 5 vite

Qeset plastike: 60 vite

Kanoçet konservë: 120 vite

Shishet plastike: 500 deri në 1000 vite


Cilat janë llojet e tjera të mbetjeve që paraqesin rrezikshmëri të lartë për alpet dhe pyjet tona?

Një lloj tjetër mbetjeje, që mendohet se përpos ndotjes estetike nuk kashkakton ndotje tjetër, janë mbetjet e qelqit dhe mbetjet metalike (2). Ndonëse pak e ditur, mbetjet e qelqit sot janë një nga shkaqet kryesore (mbas akteve të qëllimshme nga njëriu) i zjarreve nëpër pyje. Ndërkohë që fenomeni i zjarreve nëpër pyjet malore në Shqipëri është shpeshtuar, sidomos mbas viteve të 90-ta, është pak e besueshme të mendosh se mbi një lartësi të caktuar të ketë interesa për të shkaktuar zjarre për kullota. Në këto raste, kombinimi i të nxehtit, drurit të thatë dhe një shkëndije të shkaktuar nga një sipërfaqe reflektuese mjaftojnë për të shkaktuar zjarr. Për këtë arsye është e rendësishme që të tilla mbetje të mos lihen mbas. Akoma më mirë, nëse keni mundësi gjatë shëtitjeve tuaja largoni nga malet mbetjet që të tjerët kanë lënë. Në mbyllje të këtij artikulli është e rëndesishme të theksojmë se është përgjegjësia jonë që nga shëtitjet në natyrë të lëm mbas vetëm përjetimin e mirë dhe të marrim me vete çdo gjë tjetër.

 

Rreth autores:

Amantia Martinaj po kryen doktoraturën në fushën e ekonomisë me një fokus në sjelljen dhe zgjedhjet njerëzore në kontekstin e çështjeve mjedisore. Ajo është e interesuar për tema që lidhen me mirëmbajtjen e mjedisit, minimizimin e mbetjeve urbane në zonat urbane dhe parqet kombëtare, barazinë sociale si dhe forcimin e rolit të gruas në shoqërinë shqiptare.



 

(1) Për më shumë rreth mbetjeve organike në mal mund ti referoheni artikullin në linkun e bashkangjtur: https://www.asi-reisen.de/blog/abfall-am-berg/

(2) Për më shumë rreth zjarreve në male shihni artikullin në linkun e bashkangjtur: https://www.br.de/berge/sonstiges/biomuell-am-berg-wandern-umweltverschmutzung100.html

27 views0 comments

Recent Posts

See All
Post: Blog2_Post
bottom of page