Sa pyje u dogjën në Shqipëri në vitin 2021?!

Nëse do kërkosh ndonjë statistikë zyrtare lidhur me sipërfaqen e djegur në Shqipëri gjatë vitit 2021, nuk gjendet gjëkundi. INSTAT nuk ka një statistikë të saktë, pasi "ushqehet" me informacion nga ministritë e linjës, në këtë rast ajo e Turizmit dhe Mjedisit. Mirëpo as ministria në fjalë nuk ka një statistikë të saktë, pasi zjarret raportohen nga bashkitë, të cilat nuk kanë as stafe specialistësh e as ndonjë bazë të dhënash ku të regjistrojnë gjithë gjërat e duhura. Disa bashki bëjnë sikur raportojnë e disa të tjera as marrin mundimin, pavarësisht se e kanë detyrim ligjor. Agjensia Kombëtare e Pyjeve është një tjetër institucion që duhet të ketë të dhëna të sakta e të besueshme lidhur me fondin pyjor dhe ndryshimet në të. Por edhe kjo agjensi është në hapat e parë të sajë, dhe çfarë të kërkosh më parë nga ajo.
E keqja e madhe është fakti që duke mos patur statistika për dëmet e shkaktuara nga zjarret, nuk bën dot politika të qëndrueshme zhvilluese në fushën e pyjeve.
Duke mos dhënë statistika të sakëta apo duke gënjyer me statistikat, gënjehet vetë mundësia për progres në këtë sektor. Deri tani nuk ka asnjë të dhënë të saktë (bazë të dhënash) lidhur me dëmin e zjarreve në pyje, nga bashkitë. Nuk ekziston asnjë analizë në nivel kombëtar.
Sa për kuriozitet, INSTAT njofton se në vitin 2020 ne Shqipëri janë djegur vetëm 339 ha, ndërsa Sistemi Evropian i Informacionit të Zjarreve në Pyje jep shifrën 19,909 ha, ose rreth 60 herë më shumë. Merret vesh lehtë se sa i madh është problemi me statistikat tona...
Por, ekziston një burim krejt i besueshëm lidhur me informacione mbi dëmet e shkaktuara nga zjarret, EFFIS.
Sistemi Evropian i Informacionit të Zjarreve në Pyje (EFFIS) është krijuar nga Komisioni Evropian (KE) për të mbështetur shërbimet përgjegjëse për mbrojtjen e pyjeve nga zjarret në BE dhe vendet fqinje, si dhe për ti ofruar KE dhe Parlamenti Evropian informacione të harmonizuara për zjarret në pyje, në Evropë.
EFFIS pra, jep të dhëna të detajuara përmes programit COPERNICUS (një program i nisur që nga viti 1990). I njohur si ‘sytë e Evropës’ në Tokë, programi i BE-së për vëzhgimin dhe monitorimin e Tokës, COPERNICUS, po revolucionarizon mënyrën se si të kuptojmë dhe planifikojmë përdorimin e qëndrueshëm të burimeve tona në tokë.
Ja çfarë thotë EFFIS për zjarret në pyje në Shqipëri;
"Gjatë vitit 2021 Shqipëria ka patur 126 raste zjaresh masive (291 në total), dhe sipërfaqja e djegur është 29,057 ha, ose rreth 3% e sipërfaqes pyjore të vendit."
Nëse do të bëjmë një analizë të thjeshtë mbi dëmet ekonomike të shkaktuara nga zjarret, kemi këto shifra:
1. Pyllëzimi i sipërfaqeve të djegura nga zjarret ka një kosto rreth 5000 euro/ha. Nëse e shumëzojmë me sipërfaqen e djegur (29,057 ha), del vlera e parë e dëmit ekonomik që është 145,285,000 Euro. Kjo është vetëm shifra për të rigjeneruar sipërfaqen e djegur.
2. Vlera e lëndës drusore të djegur, duke marrë mesataren e volumit/ha në nivel kombëtar në rreth 55 m3 dhe me një çmim të mesatarizuar prej 20 euro/m3, dëmi i shkaktuar në këtë rast është 55x29,057x20 = 31,962,700 Euro.
3. Shërbimet e munguara në eksositem nga djegia e pyjeve (mungesa e kapjes së CO2 nga atmosfera) për shkak të djegies së pyjeve, referuar tregut ndërkombëtar ku 1 ton CO2 = 4 Euro, kemi këto vlera; 29,057 ha x 57.8 ton CO2/ha x 4 Euro/ton = 6,712,167 Euro/vit.
Këtu nuk po llogaris shërbimet e tjera që pyjet ofrojnë në ekositeme (mbrojtje nga erozioni, rrëshqitjet, mbrotja e veprave të infrastrukturës etj).
Duke mbledhur shifrat e mësipërme, del që vlera totale e dëmit të shkaktuar nga zjarret në pyjet tona për vitin 2021 është = 183,959,867 Euro.
Është një shifër jashtëzakonisht e madhe për një sektor i cili mbështetjen financiare dhe politike e ka thuajse zero. Mungesa e një adminsitrate të kualifikuar pyjore, shërbimi zjarrfikës i copëzuar dhe shumë herë jofunksional nëpër bashki, mungesa totale e menaxhimit të fondit pyjor e plot arsye të tjera, e bëjnë sektorin pyjor shumë të ekspozuar ndaj zjarreve.
Nëse do të shohim grafikun e djegies së pyjeve nga zjarret në Shqipëri për periudhën 2009-2021, do të shohim se janë djegur gjithsej 240,367 ha me pyje. Dhe nëse do të bënim llogaritjet si më sipër (për vitin 2021) vlera e shkatërrimeve në fondin pyjor shkon sa 10% e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) të vendit tonë.

Grafiku nr.1
Burimi: COPERNICUS 2021
Tani jemi në dimër por nuk duhet harruar kurrsesi situatat me zjarret që kaluam këtë verë, duke hasur me dhjetra a qindra raste neglizhence, papërgjegjshmërie, pamundësie, mungesa në pajisje etj.
Nëse krahasojmë dëmet e shkatuara nga zjarret me vende të tjera jashtë BE-së, gjendja ne Shqipëri duket se mbetet më shqetësuesja

Grafiku nr.2
Burimi: COPERNICUS 2021
Kjo tregon edhe një herë mungesën serioze të kapaciteteve njerëzore dhe financiare për menaxhimin e pyjeve në Shqipëri.
Është koha që shërbimi pyjor të organizohet sipas formateve evropiane, të vihet në dorën e specialistëve të fushës dhe të ndalen njëherë e mirë folklorizmat.
Politika duhet të marrë seriozisht (megjithse vështirë edhe të imagjinohet kjo) çështjen e menaxhimit të qëndrueshëm të pyjeve, ndryshe pyjet tona do ti kemi vetëm nëpër foto, apo të shkruara si fjalë.
Rreth autorit
Abdulla

Abdulla Diku ka kryer studimet në Universitetin Bujqësor të Tiranës dhe ka PHD(doktoraturë) në menaxhimin e qëndrueshem të pyjeve. Është aktivist mjedisor dhe eksplorues i natyrës së Shqipërisë.